Zëdhënësi i Komunës reagon ndaj vizitës së Kurtit: Malishevën nuk e mashtroni prapë

Zëdhënësi i Komunës reagon ndaj vizitës së Kurtit: Malishevën nuk e mashtroni prapë

Zëdhënësi i Komunës së Malishevës Valmir Gashi ka reaguar ashpër ndaj vizitës së kryeministrit Albin Kurti dje në Malishevë ku edhe u përurua shkolla e re në Dragobil. Gashi ka akuzuar qeverinë për manipulim të fakteve ku përmes një postimi në Facebook deklaroi se ndërtimi i kësaj shkolle nuk është meritë e qeverisë aktuale, por një projekt i iniciuar vite më parë.

“Sot, bashkë me fluskat e borës, u hodh propaganda se kjo shkollë është investim i qeverisë Kurti. E vërteta është se ndërtimi i saj ka nisur në kohën kur Fatmir Limaj ishte në qeveri dhe Ministria e Arsimit drejtohej nga partia e tij,” thuhet në reagimin e zëdhënësit.

Ai thekson gjithashtu se kontrata për ndërtimin e shkollës u nënshkrua nga Ekrem Kastrati, ish-zyrtar kryesor administrativ në Ministrinë e Arsimit, i cilësuar si “kryetari më i suksesshëm në nivel Republike”.

“Mashtrimet e Kuqe nuk kalojnë, të paktën jo në Malishevë,” përfundon reagimi, duke akuzuar qeverinë për përpjekje për të “kontrabanduar të vërtetën”.

Ky reagim pason deklaratat e kryeministrit gjatë vizitës, ku ai theksoi rëndësinë e investimeve në arsim, duke e cilësuar shkollën në Dragobil si një shembull të qeverisjes së tij.