Nisma akuzohet nga VV-ja për blerje votash me para publike në Malishevë

Nisma akuzohet nga VV-ja për blerje votash me para publike në Malishevë

Teksa zgjedhjet po afrohen, Lëvizja Vetëvendosje – Dega në Malishevë ka ngritur akuza të rënda ndaj Nismës, duke e akuzuar se po përdor buxhetin e shtetit për blerjen e votave në këtë komunë.

Sipas një reagimi të VV-së, Nisma po shpërndan subvencione me qëllim ndikimin në vullnetin e votuesve, duke e konsideruar këtë si një veprim të paligjshëm dhe subjekt hetimesh nga organet e drejtësisë.

“Nisma në Malishevë, duke parë se shanset e saj për të mbijetuar në skenën politike janë zero, tani i është kthyer buxhetit të subvencioneve për të blerë sa më shumë vota. Ky veprim, përveçse është në kundërshtim të plotë me ligjin, përbën lëndë për hetuesinë dhe prokurorinë,” thuhet në deklaratën e VV-së.

Lëvizja Vetëvendosje! ka paralajmëruar se nuk do të qëndrojë duarkryq dhe do të dorëzojë në polici dhe prokurori të gjitha faktet e mbledhura në terren, duke akuzuar Nismën për shantazh ndaj qytetarëve dhe cenim të vullnetit të tyre të lirë.

“Qytetarët duhet ta dinë mirëfilli që këta janë të njëjtit që nga paslufta. Karriera e tyre politike është ngritur mbi afera korruptive, ka rënë në 2021 për këtë arsye dhe do të fundoset më 9 shkurt, pa mundësi rikthimi,” përfundon deklarata.

Deri më tani, Nisma nuk ka reaguar ndaj këtyre akuzave.