PDK në Malishevë: Mungesa e ngrohjes në shkolla, dështim i qeverisjes nga NISMA

PDK në Malishevë: Mungesa e ngrohjes në shkolla, dështim i qeverisjes nga NISMA

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Malishevë ka kritikuar ashpër qeverisjen komunale të udhëhequr nga NISMA, duke e cilësuar si të papërgjegjshme dhe të paaftë për të përmbushur detyrimet e saj ndaj qytetarëve.

Sipas një reagimi të Degës PDK-së, mbi 60% e shkollave në këtë komunë po përballen me mungesë të ngrohjes në ditët e ftohta të dimrit, çka po krijon kushte të vështira për nxënësit dhe mësimdhënësit. Ky problem, sipas tyre, vjen si rezultat i keqmenaxhimit dhe injorimit nga qeveria lokale.

“Mungesa e ngrohjes në shkolla është vetëm një nga problemet e shumta me të cilat po ballafaqohet sistemi i arsimit në Malishevë. Qeverisja lokale e NISMA-s po tregon paaftësi dhe papërgjegjshmëri totale në krijimin e kushteve optimale për procesin mësimor,” thuhet në deklaratën e PDK-së.

PDK thekson se kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt në shëndetin dhe mirëqenien e nxënësve dhe mësimdhënësve, ndërsa akuzon qeverinë komunale për trajtim të problematikës me arrogancë dhe injorim.

Në fund të reagimit, PDK shpreh bindjen se “paaftësisë dhe keqqeverisjes në Malishevë po i vjen fundi” dhe shton se “ditë më të mira për Malishevën dhe Kosovën do të vijnë me Bedri Hamzën si kryeministër.”