VV-ja akuzon Nismën se i ka falur pronën publike një kompanie private në Malishevë

Përmes disa reagimeve në Facebook, asambleisti i Vetëvendosjes në Malishevë, Veton Zogaj, ka ngritur akuza të forta ndaj Nismës, duke e cilësuar si përgjegjëse për një marrëveshje të dëmshme që përfshin faljen e pronës publike në qendër të qytetit dhe rrënimin e Muzeut të Qytetit.
Sipas Zogajt, pronën publike në Sheshin e Dëshmorëve, Nisma ia ka falur një kompanie private për ndërtimin e një objekti afaristo-banesor prej 15,880 m². Ai ka zbuluar detaje të marrëveshjes që, sipas tij, favorizon dukshëm kompaninë:
•Investimi i kompanisë arrin në 5 milionë euro;
•Përfitimi maksimal i komunës është vetëm 1.6 milionë euro, ose 32% e vlerës totale;
•Fitimi neto i kompanisë nga shitja e banesave llogaritet në 5.31 milionë euro.
Veton Zogaj gjithashtu ka kritikuar planin për rrënimin e Muzeut të Qytetit, i cili mban emrin e dëshmorit Jahir Mazreku dhe që u ndërtua 15 vite më parë me një kosto prej 350 mijë eurosh nga buxheti komunal. “Paratë e taksapaguesve do të zhduken bashkë me rrënojat,” thekson ai.
Zogaj ka denoncuar prioritetet e Nismës, duke theksuar se, ndërsa qytetarët përballen me mungesë të ujit të pijshëm, komuna po shpenzon 9 milionë euro për një parking nëntokësor që ai e cilëson si të panevojshëm.
Në lidhje me akuzat dhe shpifjet personale të drejtuara ndaj tij, Zogaj deklaroi: “Kur mungon kundërargumenti, mbetet vetëm shpifja dhe baltosja.” Ai theksoi se angazhimi i tij është vlerësuar nga organet përkatëse, të cilat kanë konstatuar se nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore.
Zogaj paralajmëroi se Lëvizja Vetëvendosje do të përdorë të gjithë mekanizmat ligjorë për të ndaluar këtë projekt, të cilin e cilëson si një nga “kryeveprat e korrupsionit” në Malishevë.